Kulturë

Ndikimi i rrjeteve sociale në jetën e të rinjve

Ekspozita në Shkodër
Ekspozita në Shkodër

Të shqetësuara për ndikimin e gjerë të mediave sociale në jetën e përditshme të bashkëmoshatarëve, Esmeralda, Eralda, Senada dhe Albina, studente në ciklin e ulët për mësuesi në Universitetin e Shkodrës, kanë çelur ekspozitën “Si ti mbijetojmë epokës së rrjeteve sociale përmes edukimit për median dhe informacionin”.

Nisma e tyre është mbështetur nga Ambasada Amerikane dhe Instituti i Medias. Ekspozita, thotë studentja Esmeralda Hamzi, përbëhet nga një numër posterash, ku ato kanë paraqitur vlerësimet, por edhe shqetësimet e tyre mbi rolin e mediave sociale tek të rinjtë.

“Posterat që kemi paraqitur tregojnë se si ne të dallojmë një lajm të rremë, aplikacionet që po përdoren më së shumti në ditët e sotme, numrin e përdoruesve si dhe kemi paraqitur një istalacion se cilët nga aplikacionet po përdoren më shumë nga të rinjtë”, thotë ajo.

Studentet thonë se, në epokën dixhitale, rrjetet sociale po zënë një hapësirë gjithnjë e më të madhe dhe se të rinjtë, pjesën më të madhe të kohës tashmë ia kushtojnë rrjeteve sociale si facebook, instagram apo tik-tok.

“Të rinjtë pjesën më të madhe të kohës po e kalojnë në rrjetet sociale dhe jo duke ia kushtuar familjes apo duke bërë një shëtitje. Kjo ka ndikuar në vetbesimin e tepruar tek të rinjtë, në çrregullime të ankthit dhe gjumit”.

Eralda Xhaka thotë se edhe ajo, si pjesa më e madhe e të rinjve, një pjesë të madhe të kohës e kalon në rrjetet sociale duke ndjekur lajmet në instagram apo trendet e reja në tik-tok.

Po ajo shton se jo rrallë këto rrjete keqpërdoren nga të rinjtë gjë që shoqërohet me konflikte mes tyre.

“ Kjo ndodh për arsye të komenteve që mund të lërë një person. Aty mund të fillojë çdo gjë, mund të ndodh që një informacion i marrë nga dikush tjetër është përpunuar dhe është bërë fake nga një tjetër. Baza mund të jetë e vertetë, por mënyra se si të tjerët e kanë modifikuar mund të sjellë konflikte”, thotë ajo.

Ajo që kanë vërejtur të katër studentet, gjatë punës së tyre për ngritjen e ekspozitës, është edhe keqpërdorimi i gjuhës së shkruar, zhargoni i rrugës, shumë herë edhe fjalët fyese që i drejtojnë njeri-tjetrit.

Sipas studentes Senada Jukaj, interneti dhe rrjetet sociale gjithnjë e më shumë kanë prekur edhe fëmijët. Në shtëpi, shkollë, por edhe të shoqëruar me prindërit në lokale, fëmijët shikohen me celular në duar, duke kërkuar në internet.

Në ditët e sotme, thonë studentet, në rrjetet sociale gjehen lajme të shumta të rreme, keqpërdorim të fotove, vjedhje të profileve, por edhe dhunë verbale. Një studim i realizuar nga organizatat jofitimprurëse vëren se 69% e prindërve të anketuar shprehen se fëmijët e tyre i kanë hapur llogaritë në rrjetet sociale para moshës 13 vjeçare, duke shkelur kështu edhe kushtet legale të përdorimit të platformës.

Studentja Albina Hasani tregon se është futur shumë vonë në rrjetet sociale, por ka kuptuar se keqpërdorimi i tyre sjell pasoja.

“Po të shikosh në tik-tok vëren se shumë të rinj mburren me numrin e klikimeve, se janë të famshëm, se kanë më shumë shoqëri apo se kanë më shumë fitime se një tjetër. Ka edhe komente negative sepse ndodhin edhe keqkuptime, dhunë verbale, dhunë psikologjike dhe kjo nxit keqkuptimet dhe konfliktet”.

Të katër studentet thonë se nga përvoja e tyre si përdoruese të rrjeteve sociale, por edhe nga puna hulumtuese për ngritjen e ekspozitës, kanë mësuar se sa i rëndësishëm është informimi për të mos rënë në grackën e lajmeve të rreme dhe që rrjetet sociale t’i shërbejnë informimit dhe argëtimit. /VOA

/Shqip.com