Ndërprehen punimet në parkingun nëntokësor në Kaçanik, komuna sqaron arsyen

Komuna e Kaçanikut, ka sqaruar se gjatë punimeve në rregullimin e parkingut nëntokësor, nuk është bërë asnjë ndërhyrje në bustin e veprimtarit Sali Bajra pa konsultim të familjes.
Komuna ka njoftuar se punimet janë ndëprerë pas konsultimeve me arkeologë e ekspertë.
“Komuna e Kaçanikut ka disa ditë që ka nisur punimet në rregullimin e parkingut nëntokësor, ndërsa punimet ishin duke u zhvilluar edhe në pjesën ku është vendosur busti i veprimtarit Sali Bajra, ku edhe është dashur të largohet busti përkohësisht. Për këto veprime është konsultuar edhe njëri prej anëtarëve të familjes Bajra”, thuhet në njoftim.

Tutje, u bë e ditur se gjatë punimeve arkeologët kanë hasur në disa bazamente të mureve mesjetare.
“Në koordinim dhe komunikim të plotë me ta, kemi ndërprerë punimet, për të vazhduar me procedurat e tjera të parapara në këso lloj rastesh. Njëkohësisht falenderojmë angazhimin dhe profesionalizmin e qytetarëve aktiv në këtë rast të arkeologëve, me të cilët kemi qenë të hapur për bashkëpunim dhe në marrjen e vendimeve të përbashkëta, sepse vetëm në këtë mënyrë arrihet më e mira e mundshme”, thuhet tutje në njoftim.
/Shqip.com