Nagavci uron 52 vjetorin e UP-së: Mision i jonë është që të përgatisim gjeneratat e reja për të ardhmen e Kosovës

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka uruar 52 vjetorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Nagavci ka kujtuar të gjithë intelektualët, duke filluar nga rektori i parë Dervish Rozhaja, të cilët vunë në dispozicion fuqinë intelektuale e njerëzore për ta zhvilluar Universitetin.
“Ata bënë që ky universitet të bëhet institucion i dijes, e njëkohësisht edhe vendi nga ku gjenerata të tëra u frymëzuan për ta dashur lirinë dhe Atdheun”, ka shkruar Nagavci.
Ajo gjithashtu ka shkruar edhe për studentëtë që vit pas viti u bënë prijës të proceseve të rëndësishme për Kosovën, duke i qëndruar besnikë rrugës drejt lirisë, pavarësisë e shtetndërtimit.
“Ata protestuan fuqishëm kundër padrejtësive në çdo kohë, madje duke dhënë edhe jetën bashkë me mësimdhënësit e tyre”, ka shkruar ndër të tjera ministrja e Arsimit.
Ministrja Nagavci ka thënë gjithashtu se Universiteti i Prishtinës, ka një mision tjetër po kaq të rëndësishëm, të përgatisë gjeneratat e reja për të ardhmen e Kosovës!

“Në këtë mision, do të jemi të gjithë bashkë, duke krijuar politika dhe duke i jetësuar ato, në mënyrë që Universiteti ynë të ketë një vend të rëndësishëm në listën e universiteteve të respektuara të botës, por edhe në zhvillim shoqëror, mirëqenie, në shkencë e inovacion”, pohoi ajo.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” këtë 15 shkurt ka mbushur plotë 52 vite që nga themelimi.
Me rastin e këtij përvjetori, është bërë inaugurimi i hapësirës së përbashkët të fakulteteve teknike.
Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon. Viteve të fundit, UP-ja renditet ndër universitetet më të mira të rajonit.