Mustafa për akuzat se nënshkroi themelimin e Asociacionit: Disa paguhen për të gënjyer, disa gënjejnë se nuk kanë edukatë

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se disa persona paguhen për të gënjyer, e disa gënjejnë sepse nuk kanë edukatë, përcjell Shqip.com.
Këto deklarata ai i ka bërë në postimin e tij në Facebook, ku të dielën kishte reaguar pas zhvillimeve lidhur me pranimin e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“E kam të qartë se disa paguhen për të genjyer e disa gënjejnë sepse s’kanë edukatë”, komentoi Mustafa ndaj një personi.
Në këtë postim, Mustafa tha se nuk ka qenë kryeministër në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, por që ajo marrëveshje ka sanksionuar themelimin e Asociacionit.
“Në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvend në Prishtinë, (e cila ka sanksionuar themelimin e Asociacionit), Isa Mustafa nuk ka qenë Kryeministër i Kosovës. Prandaj rrjedhimisht dezinformojnë dhe gënjejnë të gjithë ata që ma përshkruajnë mua Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit”, ka shkruar Mustafa.
Reagimi i Mustafës erdhi pasi anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, tha se “frikësohet” që Qeveria e Kosovës mund ta pranojë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, veçanërisht pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga BE dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015.

Pas kësaj deklarate, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, publikoi një fotografi ku i kujtoi Hamitit kohën kur Mustafa si kryeministër dhe Hashim Thaçi si ministër i Punëve të Jashtme, kishin “nënshkruar marrëveshjen për Zajednicën”./SHQIP.com