Lajme

Musliu: AKI-ja nuk nuk u tregua aspak inteligjente me ftesën e Speciales që i ka ardhur Burim Ramadanit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në konferencë për media

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka reaguar pas ftesës së bërë ndaj Burim Ramadanit inspektor në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë për të dëshmuar në Gjykatën Speciale.

Musliu ka thënë se si kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së do të kërkoj zyrtarisht përgjegjësi për rrëshqitjen e AKI-së në këtë rast.

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk u tregua aspak inteligjente lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale që i ka ardhur Burim Ramadanit për kohën e tij të adoleshencës dhe jo për punën e tij si Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së.

“Ky institucion që fshehtësinë e ka punë të përditshme, çuditërisht lëshoi edhe komunikatë zyrtare lidhur me një ftesë për Ramadanin, rast që siç njoftoi nuk ndërlidhet asgjë me institucionin”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Musliu ka shtuar se “ shfrytëzimi i AKI-së nga Ramadani për të tërhequr vëmendje publike në emër të saj e dëmton më së shumti vetë institucionin, ku me përkushtim dhe integritet të lartë shërbejnë shumë vajza dhe djem që e duan Kosovën pa politikë, pa hile dhe pa rezerva”

“AKI-ja nuk është në shërbim të individëve, por në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka shkruar deputetja Ganimete Musliu. 

Burim Ramadani – Inspektor në AKI

Theksojmë se më 23 maj, Gjykata Speciale ka ftuar Inspektorin e Përgjithshëm të AKI,  Burim Ramadani që të dëshmoj në cilësinë e dëshmitarit.

Njoftimin e ka bërë të ditur AKI përmes një njoftimi për media.

“AKI njofton opinionin publik se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar fletëthirrje për dëshmitar për Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, Burim Ramadani”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se në fletëthirrje precizohet se Ramadani urdhërohet të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetja nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në datën e caktuar.

“Në fletëthirrje nga ai është kërkuar që “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës së luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.

“Ramadani është plotësisht i vetëdijshëm për obligimet ligjore në raste të këtilla, sikurse edhe që beson se ky është një gabim teknik dhe si i tillë do të qartësohet më tutje”, thuhet në njoftim./Shqip.com