Ekonomi

Murati: Kosova ka shënuar rritje enorme të eksportit në dy vitet e fundit

Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dh e Transferëve, Hekuran Murati ka thënë se dy vitet e fundit Kosova kanë shënuar rritje enorme të eksportit.

Përmes një postimi në Facebook, Murati tha se në vitin 2019 raporti ishte 1:9 ndërsa, tani qëndron në 1:6.

“Në vitin 2019, raporti eksport: import i mallrave ishte 1:9. Pra për çdo euro që merrej nga malli i eksportuar, nëntë euro mall importoheshin. Me rritjen enorme të eksportit dy viteve të fundit, ky raport është përmirësuar dukshëm dhe aktualisht është 1:6”, shkroi Murati.

Tutje, Murati tha se ky raport do të zvogëlohet falë masave mbështetëse për prodhuesit e Kosovës.

“Ky hendek do të zvogëlohet edhe më tej, falë masave mbështetëse për prodhuesit tanë. 120 milionë euro për subvencionim të çmimit të energjisë elektrike. 50 milionë euro për subvencionim të produkteve bujqësore. 15 milionë euro për Masën 2.1, mbështetje për kredi investuese. 10 milionë euro mbështetje për eksport dhe certifikim të produkteve. Mbështetje në rritje të punësimit e ngritjes së kapaciteteve njerëzore. Kursim në kosto e kohë me terminalet shtetërore”.

Albin Kurti prezanton progresin ekonomik, thotë se është rezultat i qeverisjes së mirë – SHQIP.com

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në faqen e tij në Facebook ka shkruar se rritja ekonomike është vizion i Qeverisë dhe se kjo do të bëhet përmes përkrahjes së bizneseve vendore.

Ai ka thënë se përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, u subvencionuan 20% e kredive për bizneset prodhuese dhe përpunuese dhe se vlera e përkrahjes kap shifrën e 15 milionë eurove që ishin mbështetje direkte për 207 biznese.

Sipas Kurtit Kosova ka shënuar rritje në vlerat e eksportit dhe se prodhimet tona që shkojnë jashtë vendit janë trefishuar më shpejtë në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se këtë javë do të filloj edhe zhdoganimi i mallrave në Portin e Durrësit, e që do të ulë kostot për bizneset edhe konsumatorët për rreth 2 milionë euro.

Ndërsa sa i përket investimeve të huaja direkte, Kosova vazhdon të rritet me 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

I pari i ekzekutivit tha gjithashtu se progresi ekonomik nuk është rastësi e hamendësim sepse është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë.

/Shqip.com