Terminalet përplasin sërish pushtetin me opozitën

Ka qenë një reagim i deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti që ka rindezur debatet me akuza e kundërakuza.
Ish-kryeministri, që ishte një kohë edhe ministër i Financave, reagoi rreth planeve të qeverisë që në vitin e ardhshëm të shpenzojnë para për rregullimin e terminaleve.
“Këta majtistë që po qeverisin, i shtetëzuan terminalet doganore. Por, tani shpenzimet e terminaleve doganore nuk i paguajnë bizneset, por qytetarët përmes taksave. Shihni buxhetin e Doganës së Kosovës për 2023 dhe dy vitet në vijim: 9.1 mil euro do të shpenzohen për renovim të terminaleve doganore. Këto janë taksa të qytetarëve”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se me një vlerësim prej 400-500 mijë euro për ndërtimin e një çerdheje, kjo shumë do të mund të shkonte në ndërtimin e 20 çerdheve për fëmijë.
Nuk vonoi shumë dhe ndaj kësaj deklarate reagoi ministri i tanishëm i Financave, Hekuran Murati.
“Le ta pyet dikush deputetin Hoti se, sa çerdhe i patën ndërtu me paratë që i paskan kursy nga privatizimi terminaleve gjatë kohës sa ky me partinë e tij kanë qenë në qeverisje. Qeveria jonë po i bën edhe terminalet shtetërore, edhe çerdhet! Ata para nesh, as terminale, por as çerdhe.Madje edhe ato pak çerdhe që ishin ndërtuar nga komunat, i kanë lënë pa staf”, ka shkruar në reagim Murati.
Shefi i financave të shtetit ka shtuar se qeveria e tanishme ka siguruar buxhet përmes të cilit do të angazhohet stafi prej 243 personave për të funksionalizuar çerdhet që kishin mbetur të pafunksionalizuara nëpër komuna.
/Shqip.com