Murati: Financat publike po kthehen në binarë, kemi rënie të borxhit të prodhimeve të brendshme

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se financat publike kthehen në binarë.
Murati përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se përkundër krizave globale si pandemia e inflacioni, vitin 2021 e kanë mbyllur me deficit buxhetor prej vetëm 104 milionë euro, që paraqet një përmirësim enorm krahasuar me deficitin e vitit 2020, që ishte 513 milionë euro.
“Gjithashtu, kemi stabilizuar borxhin publik, e madje kemi shënuar edhe rënie për sa i përket nivelit të borxhit në raport me Bruto Prodhimin e Brendshëm, sepse ekonomia është rritur me ritëm më të shpejtë sesa që është rritur niveli i borxhit”, ka shkruar Murati.
Ai gjithashtu ka publikuar një grafike ku mund të vërehet ecuria e borxhit publik që ishte projektuar para se Murati ta merrte mandatin, shënuar me linjën e kuqe.
“Linja e gjelbër ndërkaq e tregon një projeksion krejtësisht tjetër të borxhit publik vetëm pas një viti qeverisje. Dallimi është qindra milionë euro më pak borxhe”, ka shkruar ai.
Ministri i Financave gjithashtu ka thënë se kanë edhe shumë sfida para vetes, dhe sipas tij po punojmë që t‘i adresojmë të gjitha./Shqip.com
