Mungesa e anesteziologëve shtynë operacionet e qytetarëve

Qendra Klinike Universitare e Kosovës është duke punuar vetëm me 51 anesteziologë – gjysmën e stafit të nevojshëm.
Mungesën e stafit më së shumti janë duke e pësuar qytetarët të cilët janë të detyruar që të presin për tu operuar.
Qytetari nga Gjilani D.H për SHQIP.com ka treguar se ka pritur 10 ditë për tu operuar në Klinikën e Kirurgjisë, pavarësisht vështirësive që kishte me sinus.
“Kam pritur rreth 10 ditë nga data e caktimit të operacionit, për arsyeje se nuk ka pasur anesteziologë në dispozicion. Në operim nuk kam hyrë pavarësisht se kam pasur vështirësi në frymëmarrje, ngufatje gjatë natës, sekretime të hundës vazhdimisht, pamundësi në nuhatje normale, dhimbje të mëdha të kokës dhe rreth zgavrave të syve”, ka treguar ai.
Madje, anesteziologu ishte dashur të vij krejt nga një repart tjetër.
“Ata kanë kërkua mirëpo nuk ka pasur dhe është dashur me marrë nga një repart tjetër, me duket nga reparti i Gjinekologjisë” shton ai.
Spahiu: Mungesa e anesteziologëve emergjencë kombëtare
Se mungesa e stafit po ndikon në shtyrjen e operimeve e pohon për SHQIP.com edhe drejtori i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahiu, duke e konsideruar si emergjencë kombëtare.
Në mungesë të tyre, ai tregon se brenda javës ka mundësi të mos funksionojnë rreth 21 për qind e sallave të operimit.
“Mungesa e stafit të anestezionit, ndikon që brenda një javë të mos funksionojnë rreth 21% të sallave operative me program efektiv, pra kjo bënë që intervenimet e planifikuara kirurgjike të shtyhen. Pacientët për intervenime kirurgjike urgjente asnjëherë nuk presin. Mungesën e anesteziologëve e vlerësojmë si emergjencë kombëtare”.
Për funksionimin normal të 40 njësive punuese, duhet të jenë në total 120 anesteziologë.
Spahiu tha se gjatë vitit 2022 e kanë lëshuar punën dy prej tyre për shkak të mundësive më të mira që i kanë ofruar diku tjetër.
“Vitin 2022 punën e kanë lëshuar dy anesteziologë të cilët vazhdojnë të punojnë në sektorin privat për shkak të mbingarkesës më pak dhe pagave më të mira”.
Drejtori shton se gjatë këtij muaji pritët të largohet edhe një anesteziologë dhe pritet të pensionohen dy të tjerë në këtë vit.
Megjithatë, këtë klinikë nga po ky muaj do të fillojnë punën katër anesteziologë të rijnë, të cilët i kanë kryer procedurat e pranimit.
Ndryshe, gjatë vitit 2021 në QKUK janë kryer 17094 anestezione me angazhimin e 54 anesteziologëve sa ishin.
Nga kjo llogari i bie që një anesteziolog ka dhënë afro 316 anestezione. /SHQIP.com