MSH apel qytetarëve: Besoni në fakte dhe vaksinohuni!

Ministria e Shëndetësisë ka apeluar te qytetarët që të mos hezitojnë, por të vaksinohen kundër Coronavirusit.
Siç thuhet në njoftim, vaksinimi vazhdon të jetë mënyra më e lehtë, më e sigurt dhe më efikase për t’u mbrojtur nga COVID-19.
MSH më tej thekson se, situata epidemiologjike relativisht e qetë nuk përbën arsye që qytetarët që kanë marrë dozë e parë të vaksinës ta vonojnë marrjen e dozës së dytë.
Kjo pasi sipas ministrisë, pamundëson arritjen e mbrojtjes efikase dhe imunitetit të plotë.
“Për më tepër, ata që ende nuk janë vaksinuar, nuk kanë arsye për të hezituar, kur ekzistojnë të gjitha mundësitë për t’u vaksinuar shpejt, lehtë dhe me vaksina të sigurta”, thuhet në komunikatën për media të MSH-së.
Të dhënat e raportuara nga shumë shtete, sipas këtij dikasteri tregojnë për rritje të ndjeshme të rasteve të COVID-19 këtyre ditëve gjithandej, sidomos në shtetet e rajonit.
“Prandaj, me qëllim të mbajtjes së situatës së qetë epidemiologjike në vendin tonë, ruajtjes së jetës së qytetarëve dhe parandalimin e ngarkesës së sistemit tonë shëndetësor, në këtë kohë kur mund të shfaqen edhe raste të gripit sezonal, Ministria e Shëndetësisë ju bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19 pa asnjë hezitim. Besoni në fakte dhe vaksinohuni!”.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë dhënë 4.707 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit janë dhënë 1.558.528 doza të vaksinës.
Deri më sot 720.378 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./SHQIP.com
