Lajme Ballkan

MPJ: Prokurorët bullgarë eliminojnë spekulimet për mjete piroteknike apo naftë në autobus

Foto nga aksidenti tragjik në Bullgari

Katër prokurorë bullgarë kanë hedhur poshtë spekulimet se në autobusin e djegur ku vdiqën 46 persona, ka pasur mjete prioteknike apo naftë në brendësi të autobusit.

Kështu tha ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një deklaratë për media.

“Sot kam pas një takim me 4 prokurorë bullgarë dhe duke biseduar me ta, kanë hedhur poshtë të gjitha spekulimet se në autobus ka pasur mjete piroteknike apo naftë në brendësi të autobusit”, tha Osmani.

Nënkryetarja e Shkupit nga partia Aleanca për Shqiptarët, Bujare Abazi gjatë ditës kishte thënë se sipas informacioneve të para qoftë nga institucionet maqedonase ashtu edhe nga ato bullgare, janë dyshimet se në autobusin e “Besa Trans” po kontrabandohej naftë dhe mjete piroteknike, shkruan Shqip.com.

Aksidenti në Bullgari

“Kemi një autobusi pa licencë. Kemi një autobus që ka kaluar në doganë pa u kontrolluar nga asnjëri, pastaj ka kontrabanduar, siç ishin informatat e para, karburant dhe fishekzjarrë. Kjo flet se ne faktikisht kemi një sistem të korruptuar që në vazhdimësi ka bërë lëshime”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka marrë vendim për heqjen e licencës së punës ndaj kompanisë “Besa Trans BTB”.

Sipas të dhënave zyrtare të dorëzuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, është vërtetuar se për automjetin nuk është dhënë licencë për transportim ndërkombëtar të udhëtarëve dhe as ndonjë lloj tjetër i transportimit të udhëtarëve./Shqip.com