Lajme Ballkan

‘Mosrealizimi i premtimeve’ ndëshkoi Zaevin në zgjedhjet lokale

Kryeministri i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Mosrealizimi i premtimeve të dhëna nga kryeministri i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, çoi në humbjen e besimit tek elektorati, transmeton Shqip.com.

Kështu thotë Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci në këtë vend, i cili shton se Zaev në këto zgjedhje lokale është ndëshkuar për shkak të mosrealizimit të premtimeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit në nivele të larta, reformat në administratë dhe veçanërisht keqmenaxhimin e problemeve të shumta me të cilat përballen qytetarët në komunat e udhëhequra nga socialdemokratët.

Lexo edhe:
Opozita e quan “dorëheqje Facebooku” largimin e Zaevit

“Elektorati mund të themi se e dënoi keqmenaxhimin e komunave, do të thosha për mospunën dhe mosrealizmin e premtimeve parazgjedhore të shumë projekteve që në formë plotësuese këtë gjendje e rëndoi kriza e pandemisë”, vlerëson Troshanovski, raporton REL.

“Mbetën pa adresë shumë probleme, mosreformimi i gjyqësorit. Administrata publike mbeti e partizuar, ndërkohë që evident ishte favorizimi i të zgjedhurve partiakë kundrejt kuadrove profesionale në institucione të caktuara”, thotë Troshanovski.

Marko Troshanovski thotë se shuarja e Prokurorisë Speciale i zhgënjeu qytetarët e pavarur, të cilët u mobilizuan nën ombrellën e njohur si “Revolucioni Laraman”, nga ku mori mbështetje të fuqishme për të ardhur në pushtet.

“Te qytetarët e pavarur sigurisht se prodhoi efekt negativ shuarja e Prokurorisë Speciale, e cila shihej si institucion i besueshëm për luftimin e krimit në nivele të larta”, thotë Troshanovski, duke shtuar se Zaevi nuk mori vota ndëshkuese për shkak të ndryshimit të emrit të shtetit me Marrëveshjen e Prespës, por për faktin se nuk arriti të sigurojë jetë më të mirë për qytetarët. /Shqip.com