Lajme

Momenti kur Molliqaj godet me shuplakë zyrtarin policor (VIDEO)

Dardan Molliqaj godet me shuplakë zyrtarin policor

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, gjatë protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike të shtunën, ka goditur me shuplakë një zyrtar policor, përcjell Shqip.com.

Në videot e publikuara, Molliqaj shihet se e godet policin në dyert e objektit të Qeverisë, në momentin kur situata mes Policisë dhe protestuesve tensionohet.

Ndërkaq, i pari i PSD-së, gjatë fjalës së tij para protestuesve, akuzoi Policinë duke thënë se këta të fundit janë të “dirigjuar politikisht” dhe “janë të pasjellshëm”.

Ndryshe, pasditen e së shtunës është mbajtur në sheshet e Prishtinës protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë.

Me pankartat ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr”, “Populli i bashkuar ka për të fituar”, protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.

Lexo edhe:
Zëdhënësi i Qeverisë: Përkundër përpjekjeve për të eskaluar protestën, ajo ishte paqësore

Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.

Sipas propozimit të ZRRE-së, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Konsumatorët në kategorinë A, nëse gjatë një muaji shpenzojnë 300 kilovatë orë energji elektrike, çmimi aktual është 18.87 euro, dhe propozimi është që ajo të rritet në 29.66 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë, fatura do të mbetet 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Konsumatorët në “C” që do të thotë se shpenzojnë 600 kilovatë, çmimi aktual i faturës është 35.86 euro, e që me propozimin e ZRRE-së, fatura rritet në 38.92 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë mbetet 35.86 euro.

Lexo edhe:
KMDLNj për protestën kundër shtrenjtimit të rrymës: Numri i protestuesve ishte 2 mijë e 500 deri 3 mijë

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro./SHQIP.com

Qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë./SHQIP.com