Lajme

Molliqaj nuk përjashton protesta tjera kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, nuk i ka përjashtuar protestat tjera nëse nuk merren parasysh kërkesat për mosngritjen e çmimeve të energjisë elektrike, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj tha se propozimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërshtim me nevojat e qytetarëve.

Lexo edhe:
Momenti kur Molliqaj godet me shuplakë zyrtarin policor (VIDEO)

“Pabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë. Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit.

Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa”, shkroi ndër tjerash Molliqaj.

Ndryshe, pasditen e së shtunës është mbajtur në sheshet e Prishtinës protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë.

Me pankartat ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr”, “Populli i bashkuar ka për të fituar”, protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës tre zyrtarë policorë kanë marrë lëndime të lehta trupore.

Ndërkaq, në një video të publikuar, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është parë teksa ka goditur me shuplakë një zyrtar policor.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.

Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.

Sipas propozimit të ZRRE-së, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Konsumatorët në kategorinë A, nëse gjatë një muaji shpenzojnë 300 kilovatë orë energji elektrike, çmimi aktual është 18.87 euro, dhe propozimi është që ajo të rritet në 29.66 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë, fatura do të mbetet 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Konsumatorët në “C” që do të thotë se shpenzojnë 600 kilovatë, çmimi aktual i faturës është 35.86 euro, e që me propozimin e ZRRE-së, fatura rritet në 38.92 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë mbetet 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro./SHQIP.com

Qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë./SHQIP.com