Lajme

Molliqaj akuzon Kurtin e Bislimin për mos llogaridhënie për dialogun në Bruksel

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, thotë se nuk ka llogaridhënie nga ana e Qeverisë së Kosovës, për atë se çfarë po ndodh me dialogun.

Molliqaj, procesin e dialogut e ka quajtur “të mbyllur e përjashtues”.

“Si u bë që për çka u tha e çka nuk u tha në dialog e marrim vesh nga mediat në Serbi, ku raporton Vuçiqi? E pastaj na thonë po ndikoheni nga “mediat armike”. Nuk ka burim as informacion, e sidomos llogaridhënie nga pala e Kosovës për dialog.”, shkroi Molliqaj në Facebook.

Tutje, kryetari i PSD-së ka thënë se përkundër mbështetjes që opozita parlamentare i dha procesit të dialogut, arroganca e pushtetit nuk pyet për gjë.

Theksojmë se më 18 gusht, pak pas orës 10:30, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq zhvilluan raundin e ri të bisedimeve, në prani të Përfaqësuesit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, 18 gusht 2022

I pranishëm ishte edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përmes një deklarate, Qeveria e Kosovës bëri të ditur se në agjendë ishin dy tema, ajo për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes dhe çështjet aktuale politike e të sigurisë.

Sipas qeverisë, Kurti në takimin e sotëm ka kërkuar që marrëveshja të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.

“Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Takimi mes Kurtit e Vuçiqit përfundoi pa marrëveshje, teksa këtë e bëri të ditur vetë Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili tha se nuk do të dorëzohen.

Ai tha se nëse situata eskalon, edhe pala kosovare por edhe ajo serbe, janë përgjegjëse./Shqip.com