Lajme

MKRS reagon pasi ekipi kosovar i boksit nuk u lejua të hynte në Serbi

Boksierët që u ndaluan të hyjnë në Serbi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka dënuar ashpër vendimin e sotëm të autoriteteve të Serbisë, të cilët penguan hyrjen e sportistëve tanë në territorin e tyre, për shkak të simboleve shtetërore në uniforma.

“Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit”, thuhet  në reagimin e MKRS-së

Federata e Boksit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit (AIBA).

“Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor”.

“Këtë kërkesë e kemi drejtuar edhe me shkrim tek ministri i Rinisë dhe Sportit në Serbi, z. Vanja Udovičić”, thuhet në njoftim.

MPJD pas ndalimit të hyrjes së boksierëve kosovarë në Serbi: Jemi në kontakt me aleatët ndërkombëtar

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar për ndalesën që u është bërë biksierëve nga Kosova për të hyrë në Serbi, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, MPJD tha se Qeveria e Kosovës së bashku me aleatët ndërkombëtarë po luftojnë që të largojnë barrikadat ilegale të Serbisë në kampionatin botëror.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

“Pasi ekipi kombëtar i boksit të Kosovës është bllokuar ilegalisht nga Serbia në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, qeveria së bashku me aleatët po punojnë fuqishëm që të largojnë barrikadat ilegale kundër garës fer në kampionatin botëror” thuhet në postimin e MPJD-së.

Ndryshe, paraditen e së shtunës, ekipi i boksit të Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, i cili mbahet prej 24 tetor deri më 6 nëntor 2021 në Beograd./SHQIP.com