MKRS-ja po përgatit padi për shpifje ndaj PDK-së për akuzën për abuzimin me 335 mijë euro

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është duke përgatitur padi për shpifje ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas që PDK-ja përmes një konference për media ka kërkuar nisje të hetimeve ndaj ministrisë nën dyshimin se ka abuzuar me 335 mijë euro.
Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë bërë të ditur për Shqip.com se janë duke e përgatitur një padi për shpifje dhe se do t’i dëshmojnë “të pavërtetat që janë thënë lidhur me projektin ‘Drejt malit’”.
“Akuzat e pabaza ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë shpifje me qëllime të ulëta që synojnë njollosjen e një pune të përbashkët të realizuar me angazhimin e të gjithë partnerëve të këtij projekti”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi përmes një konference për media ditë më parë ka kërkuar që Prokuroria e Kosovës të nisë hetimet për aferën e abuzimit të 335 mijë eurove nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
Sipas Bislimit, këto para të taksapaguesve kosovarë, i ka përfituar me projektin e titulluar “Drejt Malit”, Mimoza Osmani, e cila është motra e zëvendësministres Daulina Osmani.
“MKRS e ka iniciuar muaj më parë një memorandum bashkëpunimi ku i ka përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Organizatën Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor”, tha Bislimi.