Lajme

Mjekët nesër hyjnë në grevë, reagon Murati: Nuk është në përputhje me ligjin

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Këshilli Qendror Grevist i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës nesër më datë 25 nëntor, do të hyjnë në grevë gjithëditore.

Nëpërmjet një komunikate për media, FSSHK thotë se nuk u është ofruar asnjë përgjigje e as nuk është caktuar ndonjë takim me krerët institucional në lidhje me kërkesat e adresuara tashmë publike.

“Këshilli Qendror Grevist kërkon mirëkuptim nga qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë grevës respektivisht solidarizim me punëtorët shëndetësor të cilët po e shfrytëzojnë një të drejtë ligjore për kërkesat sublime të tyre siç janë kushte më të mira për punë dhe mirëqenie sociale. Grevën nuk e duam ne por atë po na e imponon injoranca e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet nga FSSHK.

“Greva e përgjithshme do të mbahet duke filluar nga ora  07:00 e mëngjesit deri në ora 15:00 në të gjitha institucionet shëndetësore publike të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ilustrim

Në anën tjetër, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar ndaj grevës së parlajmëruar.

Murati deklaron se kjo grevë nuk është në përputhje me ligjin në fuqi i cili rregullon mbajtjen e grevave.

“Greva e paralajmëruar për nesër nga FSSHK, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave, saktësisht nenet 6, 7 dhe 15 të ligjit për grevatMe qasje të tillë, humbin edhe pacientët edhe personeli shëndetësor”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tutje, Murati ka theksuar se për këtë federatë në pesë vitet e fundit janë ndarë mbi tre milionë euro, mjete këto të dedikuara për kontribute “që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para”, tha Murati./Shqip.com