Lajme

Mitrovicë: Arrestohet shoferi i autobusit që po transportonte shtetas nga Siria, Irani e Iraku

Ilustrim

Një person me inicialet E.H., është arrestuar të enjten në fshatin Shupkovc-Mitrovicë pasi dyshohet për kontrabandim me migrantë.

Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari, drejtues i autobusit me targa vendore është ndaluar gjatë realizimit të një pike kontrolli të veturave nga zyrtarë policorë të Njësisë së Trafikut Regjional të Mitrovicës së Jugut.

Gjatë kontrollimit të autobusit është vërejtur se në të gjenden 61 shtetas të huaj (në mesin e tyre 2 të mitur), me origjinë nga Siria, Irani dhe Iraku.

Rasti është duke u hetuar nga Departamenti i Policisë Kufitare në Prishtinë.

“Sipas deklaratës së të dyshimtit të lartcekur, i njëjti këta shtetas të huaj i ka marrë në Prizren dhe ka pas për qëllim t’i dërgojë deri në stacion të autobusëve në Mitrovicë”.

“Në lidhje me këtë rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me urdhër të tij i dyshimti i lartcekur është arrestuar dhe ndaj të njëjtit është iniciuar rasti ‘kontrabanda me emigrantë’”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërsa shtetasit e huaj janë trajtuar nga Njësia për Migrim.

Pas intervistimit të të dyshuarit në praninë e avokatit të tij mbrojtës, i njëjti me urdhër të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është ndaluar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë./SHQIP.com