Sport Shqiptar “Kundërshtarin e vetëm në Ligën e Kosovës e kemi Hajvalinë”

Mitrovica, skuadra që ka shënuar 193 gola në 24 ndeshje

Me 193 gola të shënuar në vetëm 24 ndeshje, Klubi i Futbollit Mitrovica është një nga skuadrat më të mira në konkurrencën e femrave.

Mitrovica përveç sulmit, ka edhe mbrojtën më të mirë në Ligën e Parë të femrave në Kosovë, me vetëm dy gola të pësuar.

Dy futbollistet e këtij klubi Fatbardha Osmani dhe Edona Kryeziu kanë treguar se sa e vështirë është të qëndrojnë të motivuara gjatë kampionatit.

“Është shumë e vështir për me gjete motivin me luajtur në kampionatin e Kosovës, pasi që tërë stinorin ne mendojmë vetëm për dy ndeshje të stinorit. Është liga mjaft e dobët, por besoj që me investimet e ekipeve tjera do të bëhet edhe kampionati më i vështirë”, tha Osmani, kapitenia e Mitrovicës.

Kryeziu theksoi se kundërshtarët e ligës janë shumë të dobëta.

“Është e vështirë, pasi disa nga kundërshtarët janë shumë të dobët. Ka edhe skuadra me vajza shumë të reja edhe për neve është pak problem të jemi të motivuar sepse është lojë e dobët, por lojtarët e mëdhenj dhe të fort duhet të gjejnë motivimin edhe në lojë të dobëta”, tha Kryeziu.

Pavarësisht paraqitjeve të mira këtë stinor, Mitrovica nuk ka arritur ta kalojë Hajvalinë.

Me një fitore dhe një barazim, Hajvalia është treguar si kundërshtare mjaftë e denjët për skuadrën e Mitrovicës.

“Kundërshtarin e vetëm në ligën e Kosovës e kemi Hajvalinë. Ekipet e tjera nuk janë kundërshtare mjaft të mira, dhe i vetmi kundërshtar është Hajvalia”, tha Osmani.

Kryeziu tutje shtoi se ato hyjnë për fitore në çdo ndeshje.

“Me të thënë të drejtën në ligë janë tri katër ekipet e para që janë më të konkurruese, derisa të tjerat ekipe nuk është që janë rivale të forta. Gjithsesi ne hyjmë në lojë për të fituar”, tha Kryeziu.

Fitorja më e madhe e Mitrovicës ka qenë përballë Intelektualëve, ku triumfuan me rezultat 19:0.

Derisa, për shkak të nivelit të larë të skuadrës disa ekipe nuk paraqiten në ditën e ndeshjes.

Sipas trajneres, Hava Dakaj, edhe kjo ndikon shumë në lojën e futbollisteve.

“Po ndikon se përderisa përgatitesh për ndeshje dhe kur nuk udhëton skuadra kundërshtare është shumë problem. Motivi ka rënë pak. Por ne si trajner po mundohemi të bëjmë stërvitjen më atraktive dhe të përgatitemi për ndeshjet e radhës që kanë mbete”, tha ajo.

Dakaj tutje shtoi se ky nivel i ulët ndikon edhe në paraqitjen e Mitrovicës në garat evropiane.

“Unë mendoj që niveli i futbollit në Kosovë është i ulët edhe për këtë arsye kemi edhe probleme, kur dalim jashtë Kosovës. Paraqitjet janë më të dobëta, sepse jemi vetëm ne si Mitrovicë”, tha ajo.

Mitrovica do të garojë përballë Hajvalisë të premten, në finalen e Kupës së Kosovës./Shqip.com