Miratohet projektligji për hekurudhën Durrës-Prishtinë, kushton afër 2 milionë euro
Ka kaluar projektligji për marrëveshjen për hekurudhën Durrës-Prishtinë.
Kjo pikë ka hyrë në rend dite me mocion procedural i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Bëhet fjalë për marrëveshjen e bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu duke folur para deputetëve tha se kostoja e studimit të fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë do të kushtojë 1 milion e 980 mijë euro.
“Kjo marrëveshje bashkëfinancimi ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe ndarjen e kostove në mes dy vendeve për financimin, studimin e fizibilitetit dhe projektidesë për këtë linjë hekurudhore. Kostoja totale për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projektidesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë 1 milion e 980 mijë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë do të ndaj shumën prej 1 milion euro, ndërsa Ministria e Infrastrukturës së Kosovës do të ndaj shumën e 980 mijë eurove”, ka thënë Aliu.

Aliu tha se kjo kosto është përfshirë në buxhetin e vitit 2022 të Ministrisë që ai drejton me autorizim të Qeverisë së Kosovës./Shqip.com