Miratohet Projektligji për Gjykatën Komerciale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës këtë të premte po vazhdojnë punimet e seancës së djeshme.
Me 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ata kanë votuar në lexim të dytë Projektligjin për Gjykatën Komerciale.
Gjatë votimit, në sallë kanë qenë gjithsej 80 deputetë.
Doarsa Kica-Xhelili, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se me këtë gjykatë synohet mbështetja e bizneseve.
“Bizneset kanë mundësi për gjyqësi stabile. Bizneset kanë nevojë të mos bien pre e bllokadave gjyqësore. Anëtarët e grupit punues bashkërisht kanë propozuar disa amandamente”.
“Me konsensus janë tërhequr amandamentet individuale dhe janë shtuar ato me konsensus. Janë propozuar 33 amandamente”.
“Ato shkojnë në frymë të harmonizimit me disa ligje të tjera që janë në fuqi. Komisioni i rekomandon Kuvendit ta miratojë projektligjin dhe amandamentet e propozuara”, u shpreh para deputetëve Kica-Xhelili.
Në votim nuk mori pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, përveç deputetit të saj, Agim Veliu, i cili votoi për.
Miratohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar
Me 80 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar.
Në lidhje me këtë projektligj, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenime./SHQIP.com