Kulturë

Mira Murati, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka miratuar sot pranimin si akademikë të jashtëm të saj të disa personaliteteve, të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë.

Mes tyre është koreografi Angjelin Preljocaj, studiuesja e shkencave të informatikës Mira Murati dhe shkrimtarja Lea Ypi.

Angjelin Preljocaj është një nga personalitetet më të njohur në botë në fushën e koreografisë bashkëkohore.

Që prej mesit të viteve 1980 dominon skenën franceze, europiane e botërore me mjeshtërinë dhe origjinalitetin e artit të tij, si balerin e koreograf.

Karriera e tij artistike është cilësuar brilante.

Është autor i dhjetëra pjesëve koreografike origjinale, që nga ato të miniaturës e deri tek veprat e mëdha koreografike, duke krijuar një shkollë më vete mjeshtërie, e njohur si “Preljocaj Ballet”

Ismail Kadare ka shkruar për Preljocajn: “Alfabeti i tij i gjallë njerëzor ka gjithë mrekullinë, po edhe përkohshmërinë që ka qenia njerëzore; ky alfabet bart gjithë thesarin e tij”.

Ermira (Mira) Murati është studiuese drejtuese ekzekutive në degëzimet më të reja të shkencave të informatikës; përgjegjëse në të mirënjohurën “Open Artificial Inteligence” që nga viti 2018.

Pas një bashkëpunimi të suksesshëm si studiuese prej më shumë se shtatë vjetësh dhe u bë zyrtare kryesore e teknologjisë, duke udhëhequr punën në ChatGPT.

Është supervizore e përparimeve teknike dhe e drejtimit të projekteve shkencore parësore të “Open AI”, duke përfshirë zhvillimin e modeleve dhe mjeteve të avancuara të inteligjencës artificiale.

Me emrin e saj lidhen arritje nga më të rëndësishmet në zhvillimin e disa prej produkteve më të shquara të “Open AI”, duke përfshirë serinë e modeleve gjuhësore të “Transformerit të Paratrajnuar Gjenerues” (GPT).

Veprimtaria e saj përfshin shtyrjen e kufijve të mësimit të makinerive, ndërkohë që mbron përdorimin e përgjegjshëm e etik të teknologjive të AI.

Është vleresuar nga autoritetet teknologjike për një aftësi të shkëlqyer të demonstruar për të mbledhur me sukses ekipe me ekspertizë teknike, mendjemprehtësi tregtare dhe gëzon një vlerësim të thellë për rëndësinë e misionit, duke ndihmuar në ndërtimin e disa prej teknologjive më emocionuese të AI, të papara ndonjëherë më parë.

Lea Ypi, e njohur dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht si studiuese e shkrimtare shqiptare; autore e tetë veprave studimore e letrare të mirënjohura, të botuara anglisht, gjermanisht, frëngjisht, hollandisht, spanjisht, italisht e kinezisht; dy prej tyre të botuara dhe në shqip.

Rekomandues të kandidaturës së saj janë akademikët Floresha Dado e Stefan Çapaliku, të cilët vlerësojnë se kandidatja është një personalitet me sukses të jashtëzakonshëm në shkallë ndërkombëtare, me prestigj të lartë.

/Shqip.com