Kulturë

Miq, artistë e kolegë në homazhet për poetin Agim Doçi

Miq, artistë e kolegë në homazhet për poetin Agim Doçi
Miq, artistë e kolegë në homazhet për poetin Agim Doçi

Të afërm, miq, artistë dhe kolegë kryen homazhe në nder të poetit Agim Doçi i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 76-vjeçare pas një goditjeje cerebrale.

Ceremonia në nder të fituesit të mbi 50 çmimeve në festivale të këngës u zhvillua private.

Agim Doçi ishte një prej krijuesve të shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion.

Në krijimtarinë e tij veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë mes të cilave “Marshi i UÇK-së” dhe “A vritet pafajësia”.

Lindur më 9 maj 1948 në Shkodër, Doçi u diplomua për Inxhinieri, por kishte një pasion të rrallë për letërsinë. Ai punoi si inxhinier në montimet industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si fabrika çimentosh, metalurgjik, superfosfatin e Laçit, Poligrafikun e Tiranës, etj.

Nga fundi i vitit ’80, ai punoi pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabrikën e letër-kartonit. Doçi u përfshi në lëvizjet e dhjetorit 1990.

Agim Doçi ka krijuar më shumë se 3 mijë tekste këngësh që janë interpretuar nëpër festivalet shqiptare.

Ai ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.

Për kontributin e tij është vlerësuar nga Presidenti Bujar Nishani me titullin “Mjeshtër i Madh”. /atsh

/Shqip.com