Ministrja Hajdari prezanton “Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2030”

Draft Strategjia për Zhvillimin Industrial dhe Mbështetjen e Bizneseve 2030 u diskutua në një tryezë të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian me përfaqësues nga anëtarët e Këshillit të Investitorëve, Komisioni Evropian dhe Ambasadat.
Kështu u bë e ditur nga njoftimi i lëshuar prej Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Para të pranishmëve, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari tha se vendimi për hartimin e kësaj strategjie, për herë të parë, u nxit nga të kuptuarit se zhvillimi industrial është thelbësor për transformimin gradual të Kosovës në një ekonomi me të ardhura të larta dhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
Ajo njoftoi të pranishmit për vizionin, misionin dhe objektivat e politikës industriale dhe lidhjen me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2030, duke shtuar se te shumica e sektorëve industrial të analizuar, prodhimi ka një potencial të lartë për të krijuar produktivitet të konsiderueshëm dhe fitime shtesë në vlerë duke thithur teknologjitë e reja dhe inovacionin”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Ndërsa Drejtoresha e Departamentit të Industrisë, Valbona Dushi, prezantoi në detaje objektivat specifike dhe të matshme të politikës industriale, nxitësit industrialë (nënobjektivat) më të rëndësishëm që duhet të përmirësojnë performancën e tyre për të arritur objektivat e politikës industriale dhe masat prioritare të politikave, me kosto të ndërhyrjeve qeveritare për të miratuar vizionin e synuar të politikës industriale.
Në njoftim thuhet po ashtu se përfaqësues nga Këshilli Evropian i Investitorëve, Komisioni Evropian, Ambasadat dhe Akademia, e cilësuan këtë strategji si moderne dhe të qartë, duke shprehur mbështetje të plotë dhe bashkëpunim në të ardhmen.
/Shqip.com