Lajme

Ministria thotë se ka kapacitete të mjaftueshme për çdo situatë epidemiologjike

Ministria e Shëndetësisë

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se institucionet shëndetësore duhet të jenë të gatshme për çdo variant TË Coronavirusit që mund të paraqitet.

Sipas tij, përhapja e variantit “Delta” ka rritur interesimin e qytetarëve për të marrë vaksinën anti-COVID’19.

“Deri në 70% të rasteve që rezultojnë pozitiv me Covid vijnë nga varianti Delta. Gjithashtu në rritjen e interesimit ka mundur të ndikojnë edhe paralajmërimet e ndryshme që mund të ketë masa të ndryshme kufizuese në rast se qytetarët nuk i përgjigjen procesit të vaksinimit. Por pavarësisht procesit të vaksinimit institucionet shëndetësore duhet të jenë të gatshëm për çfarëdo varianti”, u shpreh Hoti për EO.

Ai më tej shtoi se nuk ka alternativë tjetër përveç se “të përgatitemi me kapacitete spitalore dhe të vazhdojmë me procesin e vaksinimit si mënyra më e vetme për t’ia dalë kundër COVID-19”.

Sipas tij, ajo çka mbetet brengosëse është një numër i qytetarëve që hezitojnë të vaksinohen.

Hoti tha se vaksina është opsioni i vetëm për ta përballuar çfarëdo situate epidemiologjike që mund të shfaqet në vijim.

 “Ministria e Shëndetësisë ka arritur të sigurojë doza mjaftueshëm për secilin qytetar që duhet vaksinuar kundër Covid-19. Institucionet shëndetësore i kanë kapacitet për të menaxhuar në çfarëdo situate mirëpo kërkohet bashkëpunim i qytetarëve me institucionet dhe profesionistë shëndetësor.

Shumica e rasteve që kërkojnë spitalizim janë raste të qytetarëve që nuk e kanë kaluar Covidin ose nuk janë të vaksinuar. Vaksina është opsioni i vetëm për ta përballuar çfarëdo situate epidemiologjike që mund të shfaqet në vijim”./SHQIP.com