Kosova do të bëhet me objekt për shërbimin e kardio-kirurgjisë për fëmijët

Ministria e Shëndetësisë ka filluar përgatitjet konkrete për krijimin e shërbimit të kardio-kirurgjisë në Kosovë.
Kjo është bërë e ditur pas takimit të Ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi me ambasadorin e Italisë në Kosovë, z.Antonello De Riu.
“Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr Rifat Latifi, takoi sot Ambasadorin e Italisë, z.Antonello De Riu, me ç‘rast temë diskutimi ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë, më konkretisht, krijimi i programit të kardio-kirurgjisë së fëmijëve në Kosovë dhe përkrahja nga shteti italian për realizimin e këtij objektivi tejet të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Më tutje thuhet se Ministri Latifi falënderoi Ambasadorin De Riu dhe shtetin italian për ndihmën e dhënë deri më tani në sektorin e shëndetësisë në përgjithësi, dhe për të gjitha aktivitetet përkatëse për krijimin e këtij shërbimi të nivelit të lartë për kujdesin shëndetësor të fëmijëve tanë.
Po ashtu është bërë e ditur se Ministri Latifi dhe Ambasadori De Riu u dakorduan që të gjitha procedurat për dërgimin e ekipit kosovar mjekësor për trajnim në Itali si dhe përgatitjet për sigurimin e paisjeve të nevojshme për këtë qendër të përfundohen gjatë fillimit të vjeshtës./Shqip.com