Lajme Ballkan

Ministri serb i mbrojtjes akuzon Kurtin dhe Mehajn se po armatosin Kosovën

Ministri serb i mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç

“Nuk ka asnjë akt ndërkombëtar që Kosovën e lejon të ketë ushtri të saj”, u ankua ministri serb i mbrojtjes në largim, Nebojsha Stefanoviç.

Përveç se Kosova ka ushtri, Stefanoviç u shpreh “i shqetësuar” se Forca e Sigurisë së Kosovës po armatoset.

“Albin Kurti dhe Armend Mehaj e dinë këtë, dhe qëllimi i tyre është mashtrojnë njerëzit”, tha Stefanoviç, duke iu referuar Rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit se, siç vazhdon të supozojë ai, “vetëm KFOR-i mund të ekzistojë në Kosovë”.

“Politikanët në Prishtinë e dinë këtë shumë mirë, por kjo nuk i parandalon të mirren me lajmërime të vazhdueshme për krijimin dhe armatosjen e kësaj ushtrie të Kosovës”, tha ministri serb, raportoi “Danas”.

Në anën tjetër, edhe ky ministri i ushtrisë iu bashkua thirrjeve serbe për formimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe.

“Politikanë të papjekur të Prishtinës qartazi besojnë se do të kenë sukses të përfitojnë nga konflikti tragjik në Ukrainë dhe t’u shmangen obligimeve që kanë marrë përsipër para komunitetit ndërkombëtar, siç është Asociaconi”, vazhdoi ai.

“Dhe, tani nga pretendimet se do të anëtarësohen në NATO, dhe pasi NATO u tha se s’mund të bëhet gjë rreth kësaj, ata u kthyen drejt vendeve që janë duke u bërë ushtri në nivelin e ushtrive të NATO-s”, konkludoi ai.

Serbia është i vetmi vend në rajon që blen sisteme mbrojtëse anti-ajrore kineze, dhe kontrakton armë nga Rusia dhe Biellorusia, pavarësisht faktit se është në negociata me BE-në për anëtarësim, nga ku një nga kushtet kryesore është “bashkërendimi i politikave të jashtme dhe të sigurisë me BE-në për secilin nga shtetet anëtare”.

Përveç kësaj, Rezoluta 12/44 është akt i vitit 1999 për të ndaluar fushatën e spastrimit etnik dhe gjenocidin mbi shqiptarët e Kosovës.

Kosova e ka shpallur pavarësinë në vititn 2008, ndërsa në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka shpallur si plotësisht në pajtim me ligjin ndërkombëtar.

Më 14 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës e cila hyri në fuqi menjëherë.

Transformimi supozohet të përfundojë në vitin 2028.

Garda Kombëtare e Iowa-s amerikane është një nga partnerët dhe mbështetësit kryesorë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në transformimin e saj./Shqip.com