Lajme

Ministri i Bujqësisë viziton fermerët në Zubin Potok

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka vizituar fermerët e fshatit Çabër në Komunën e Zubin Potokut, ku ka parë për së afërmi kushtet në të cilat punojnë këta fermerë dhe është njoftuar edhe me sfidat me të cilat përballen ata në zhvillimin e veprimtarive bujqësore.

Peci ka deklaruar se janë duke krijuar lehtësira për fermerët ngase në të kaluarën ata nuk kanë mundur të aplikojnë për subvencione shkaku i fletës poseduese të tokës.

Sipas tij, kriteri për të pasur fletën poseduese është hequr kurse kontrolli dhe monitorimi i parcelave do të realizohet nëpërmjet digjitalizimit.

Këto komente i ka bërë gjatë vizitës në Çabër në komunën e Zubin Potokut ku është takuar me fermerin, Ahmet Uka i cili ka përfituar nga kompensimi i dëmeve në bujqësi në vlerë prej 2 mijë e 200 euro.

“Kjo zonë pothuajse asnjëherë nuk ka patur mundësi të aplikojë për subvencione për shkak të fletës poseduese mirëpo këtë vit, fleta poseduese nuk do të jetë kriter ndërsa njëra formë e kontrollit dhe monitorimit të parcelave do të realizohet përmes digjitalizimit. Kjo i kontribuon zhvillimit të sektorit të bujqësisë në këtë pjesë veriore të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Peci ka lavdëruar bujkun i cili është kthyer nga Gjermania dhe nga puna e tij është duke arritur që të investojë në pajisje të reja bujqësore dhe të gëzojë një ekonomi familjare stabile.  /Shqip.com