Metamorfoza e dhimbjes empatike – kombëtare e shndërruar në art letrar e poetik

Reflektim mbi librin poetik të Ramadan Mehmetit “Mëkate të Zgjuara”. Botoi “Rozafa”, Prishtinë, 2004.
Shkruan: Vilson Culaj
Po bëhet më se një gjysmë shekulli dhe emri i Ramadan Mehmetit po lë gjurmë të çmuara dhe të denjësishme në letërsinë shqiptare.
Emri i tij në letërsinë shqiptare ka dekada që ka zënë vendin e merituar, andaj shqyrtimi dhe analiza e veprave të tij kërkon vëmendje edhe më të madhe si një akt vlerësimi sublim e receptimi kulturor, por edhe si akt mirënjohjeje për punën e tij të vyer në shumë fusha të letërsisë dhe kulturës, por edhe të ndërveprimit shoqëror.
Nëse i referohemi librit poetik “Mëkate të zgjedhura” në çdo varg gjejmë dhembjen moraliste e nacionale të poetit, i cili shpreh keqardhjen e empatinë shpirtërore personale për një popull, i cili vuan nën regjimin e një pushtuesi barbar. Lirikat e tij janë aq impresionuese ku lexuesi krijon bindjen se po e bashkëndan atë dhembje me autorin dhe artin e tij sublim.
Autori Mehmeti, si mjeshtër i vargut, personalitet rezonues, racional e empirist jep sprovën e një mjeshtërie të avancuar letrare, por edhe të botëkuptimit iluminist për sprovat e jetës letrare, shoqërore e kombëtare.
Këtë akt e model krijues e legjitimon pjesa e parë e librit “Vdekje moderne”, ku autori shpreh pezmin e tij shpirtëror e poetik për kaosin e dramën që po zhvillohej në atdheun e tij – Kosovë.
Ai përmes vargjeve të kondenzuara e plot mesazh poetik shprehet:
Dhembja është bukuri
Dita është vuajtje
Në çdo mëngjes
Vdes nga një lule
Në dritaren time.
Janë lulet, pra, kjo metaforë e zgjedhur që personifikon fatin tragjik të fëmijëve të vrarë në luftë që nuk di ta mbysin klithjen e të zgjohen në parajsën e lirisë së ëndërruar. “Metaforat e gjakut kurrë nuk vdesin në harresë”, shprehet poeti Mehmeti, sepse e zgjuar është ndërgjegjja e tij njerëzore, poetike e nacionale.
Autorit i gozhdohen shikimet para dramës që po zhvillohej brenda popullit të tij, andaj me mjete poetike dhe përmes mesazheve dridhëruese mundohet ta shuajë pezmin e tij shpirtëror duke e ngitur poezinë e tij në nivel të lartë ideo – artistik e semantik.
Figurat, simbolet, krahasimet historike, metaforat, personifikimet, numeracionet, shkallëzimet, paralelizmat figurativë që i përdor krijuesi Ramadan Mehmetaj te ky vëllim poetik, ta krijojnë imazhin e një vargu e relikti të lashtë, njohjeje empirike, dhe të një imagjinate marramendëse stilistike që rrallë e has tek krijuesit tjerë.
Është përvoja jetësore e letrare që i bëjnë dridhëruese e imponuese për lexuesit këto poezi, të cilat si një panoramë urtie e psalmesh që klithin thellë në ndërgjegjen e botës vijnë e shndërrohen në jehonë zërash të brendshëm që përafrohet me realitetin letrar e historik.
Ky model i lirikës atdhetare sa vjen e bëhet edhe më i theksuar në pjesën tjetër të librit “shpirtëror” dhe sublimohet me poezinë “NËSE S’KTHEHEM KOSOVË”, e cila poezi portretizon pikturën e ndërgjegjes nacionale të poetit, i cili bashkëndjenë vuajtjen e fëmijëve, të cilët sakrifikohen për atdheun e tyre. Poeti ngreh dilemën, se:
Vallë
E sheh Zoti
Cili është djalli
E cila pjellë e tij?!
Në pjesën tjetër të librit “LULE E DERGJUR” mesazhi poetik merr kahje tjetër që luhatet nga lirika patriotike deri te ajo e dashurisë dhe plani estetik merr dimension edhe të dashurisë amor karita dhe ndiesisë për tokën e çliruar, ku mëkati i vetëm i poetit na shpërfaqet “liria”, sepse mjegullirat e cenojnë gjakimin e dikurshëm për liri dhe progresin e përgjegjësinë që kërkon ajo në ndërgjegjen e njerëzve që përjetuan gjenocidin, egzodin e zgripin ekzistencial, por edhe të substancës nacionale.
Vargu i tij këtu na del sa qortues e sfidues, poaq edhe racional e real, sepse fryma e lirisë, sipas poetit Mehmetaj nuk e duron kaosin kolektiv – ngre zërin poeti i përvojës së madhe jetësore e letrare.
Te pjesa e librit “SHESHI I DASHURISË” humnera e përthellimeve dhe shqyrtimeve ideore merr kahje tjetër, sepse poeti në “Bllacë kafshon buzët për dhembjen e pafund” për një shesh dashurie e nate të pafund në gjakim të lirisë shpirtërore e kolektive.
Poeti Mehmeti përmes Elegjisë, metaforës dhe metatekstit letrar grindet me shekujt në tjetër kapitull të librit, sepse ai flet e mediton për Kanunin e Lekë Dukagjinit, ujkun që do mjegull, gjarprin e shtëpisë, sepse kur ai e puthë atë në ballë si shenjë e glorias, ai e kafshon në sy poetin. Poeti ka mall, vizione e gjakim tjetër. Ai nuk i gëzohet avazit të vjetër as mbetjeve të shekullit XX; i thurë himne gjakut arbëror dhe gjykon kobzinjtë, prandaj udhëtimi i tij ideor, poetik, estetik, e artistik është i pa fund, sepse pritja për poetin nuk doli ngushëllim dhe liri e kërkuar, por si një zhgënjim i etjeve të mëdha për ta përqafuar lirinë kombëtare me të gjitha begatitë e saj.
Ku mbeti urtia? – klithë poeti i vizioneve të larta e të thella, sepse në momentet kur dominon ëndrra, agonia dhe apatia, fillon mungesa e ndërgjegjes, përgjegjësisë dhe e dimensionit shpirtëror. Ai lutet në qetësinë e natës për lumin e fjetur, i cili ulet mbi shtratin e tij dhe nis të vajtojë përsëri për Itakën e idealet e humbura në lajthitjen e quajtur keqkuptimi i lirisë.
Ai lutet në fund të librit e thotë: “Më fal, o Iliri!”, jo se fjetëm, porse nuk ditëm të zgjohemi kurrë në ndërgjegjen tonë të vrarë e plagët tona të njoma ndër shekuj!
Këto poezi janë shkruar në harkun kohor 1999 kur Kosova digjej flakë dhe lahej e ringjallej nga gjaku e idealet e saj, andaj në thelb të mesazhit poetik kanë ekzistencën nacionale dhe të individit në kërkim të lirisë trupore e shpirtërore si një akt katarzimi e përjetimi të lirisë deri në themelet e saj të misterit.
Është dora mjeshtërore e poetit që lë gjurmë mbi aktin e kësaj lirie dhe humnere, e cila nëse nuk kuptohet kalon në ankthin e pritjes utopiste e iluzionare.
Poeti Ramadan Mehmeti e ka të zhvilluar ndërgjegjen e tij poetike, personale e kombëtare, prandaj këto poezi nuk janë psalme në tehun e shpatës, por shpata që me mjete letrare mundohet ta gjakojë modelin e lirisë së vërtetë, e cila përmbush shpirtëra dhe ndërton themele të forta të identitetit tonë kombëtar.
Përmes largësive kohore, shkrimtarët si Ramadan Mehmeti na dërgojnë deri në kohën tonë, zërin e tyre të betejave mendore, ideore, kulturore e artistike nëpër mote e brezni.
Poezitë e Ramadan Mehmetit nuk janë thjeshtë reminishenca e as memorizime, por janë tharmi i njohjes e vetënjohjes personale, shoqërore dhe kombëtare. Janë fusha të eksplorimit të shpirtit, kulturës dhe etnopsikologjisë sonë.
/Shqip.com