Lajme

Mesazhi që dha Edi Rama për Çamërinë dhe çamët nga Athina

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës para emigrantëve shqiptarë në Athinë u ndal indirekt edhe tek Çamët e shpërgulur me dhunë nga shtëpitë e tyre pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai tha se emigrantët shqiptarë u përballën në fund të shekullit të shkuar me operacionet fshesa njësoj si paraardhësit e tyre në veri të Greqisë.

“Ju vëllezër dhe motra erdhët në këtë djep të civilizimit të vjetër të Greqisë së lashtë për t’i ikur gërmadhave të regjimit komunist dhe mallkimit të tij të varfërisë më ekstreme. Kapërcyet malet. Fjetët nëpër parqe, nëpër kisha, nëpër stola rrugësh. Dolët pa dalë drita për të pritur nëpër sheshe si kuaj në pazarin e gjësë së gjallë, afendikonjtë që iu merrnin për një punë të zezë krahu. Gjakosët duart dhe dërrmuat kurrizin me punët më të rënda! U përballët me gjithfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Bëtë nga dy a tre punë në ditën që nuk mbaronte duke e zbutur urinë me një pjatë në ditë për të vënë mënjanë lekët e dy vakteve të pangrëna!

Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me dhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë.

Shumë ndër ju ndërruat emrat që ju kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentat e punës dhe regjistruar fëmijët në shkollë.

Ju shqiptarët e Greqisë e patë fëmijët të mbytej në lot se kishte dalë më i miri në shkollë, por nuk iu dha e drejta e ceremonisë së flamurit dhe faj i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dykrenare dhe nuk kishte lindur nën mbrojtjen e kryqit të bardhë por, ja ku jeni. Ju shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuat kurrë dhe triumfuat sepse ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që çfarë nuk pa dhe çfarë nuk hoqi nën këtë qiell, por asnjë fuqi apo padrejtësi e kësaj bote nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu”, tha ai.

/Shqip.com