Ekonomi

Mërgimtarët shpenzuan rreth 500 milionë euro gjatë kësaj vere në Kosovë

Mërgimtarët

Bashkëatdhetarët që kanë vizituar Kosovën gjatë kësaj vere, kanë shpenzuar rreth gjysmë miliard euro, përcjellë Shqip.com.

Sipas hulumtuesve nga organizatat qeveritare, ani pse të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës për remitenca janë deri në muajin maj, thuhet se të hollat që janë derdhur në forma të ndryshme, janë një infusion për ekonominë e Kosovës, e sidomos në kohën e pandemisë.

Sihana Bejtullahu nga organizata joqeveritare “Germin”, organizatë e cila merret kryesisht me çështje të diasporës, është shprehur se shpenzimet e bashkatdhetarëve gjatë sezonit të verës arrijnë deri në 500 milionë eurosh.

Sipas saj, numri i bashkëatdhetarëve që kanë ardhur këtë verë në Kosovë është mbi një milion.

“Ne jemi në procesin e analizimit të të gjitha të dhënave, qoftë atyre të hyrje daljeve gjatë kësaj periudhe të verës me prani të diasporës, e po ashtu duke përfshirë edhe fushën financiare, ku rreth 500 milionë euro llogaritet të kemi gjatë kësaj kohe, por shumë shpejt do të dalim edhe me të dhënë përfundimtare”, ka theksuar ajo për KP.

Kurse, eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti, ka thënë se remitencat diaspora si dhe investimet e ndryshme kryesisht në patundshmëri, zënë një peshë të rëndësishme për ekonominë e vendit.

“Është kaluar shifra prej 900 milionë euro gjatë vitit 2020, si dhe në këtë vit(2021) gjithashtu është arritur një rekord i fluksit të udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kjo ka rëndësi për vendin pasi që gjatë muajve të verës rritet konsumi në të gjithë sektorët dhe pa dyshim që bashkatdhetarët kanë vlerë të rëndësishme për ekonominë e vendit”, tha ai për KP.

Përveç shpenzimeve që diaspora e Kosovës i bën gjatë sezonit të verës, Kosova çdo vit i pranon edhe rreth 1 miliard euro remitenca, kurse vetëm vitin e kaluar mjetet e ardhura nga diaspora kanë kapur vlerën prej 980 milionë eurosh.

Ndërkaq, Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka thënë se diaspora ka qenë dhe do të mbejet një nga shtyllat e mëdha të përkrahjes së vendit.

“Ka qenë një paaftësi e institucioneve tona në përgjithësi që të krijojmë infrastrukturë ligjore më të mirë që t’i ftojmë diasporën të investojnë, jo vetëm të sjellin ndihma për qytetarët tanë. Në këtë drejtim duhet me urgjencë të madhe, qeveria bashkë me kuvendin t’i ndryshojë ligjet, të krijojë ofertë për të bërit biznes dhe për investime në mënyrë që ne t’i ftojmë ata të investojnë në Kosovë dhe jo të na sjellin vetëm ndihma”, ka thënë ndër të tjera ai.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti ka thënë se vlera e remitencave për periudhën janar-maj 2021 është 446.8 milionë euro, e cila është më e lartë për 95.2 milionë euro se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku vlera e remitencave ishte 351.6 milionë euro.

Ahmeti ka treguar se shtetet prej nga më së shumti janë dërguar remitencat prijnë shtetet gjermano folëse (Gjermani, Zvicër, Austri), të përcjella nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca.

Duke pas parasysh fluksin e lartё tё diasporës gjatë tremujorit të tretë të vitit, Ahmeti ka thënë se mbështetur në të dhëna tjera të tërthorta, BQK pret qё eksporti i shërbimeve tё udhëtimit kryesisht shpenzime tё diasporёs nё Kosovё tё shënojnë rritje vjetore prej 98.2 pёrqind në vitin 2021, ndërsa rritja e remitencave pritet tё jetё rreth 16.0 pёrqind./Shqip.com