Mërgim Lushtaku heq dorë nga përfitimet monetare si deputet i Kuvendit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku ka dhënë dorëheqje nga të gjitha privilegjet e përcaktuara për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Ky vendim ka ardhur pas publikimit të shpenzimeve të karburantëve për deputetët e parlamentit.
“Duke e kuptuar indinjatën tuaj, marrë parasysh gjendjen socio ekonomike në vend shpreh keqardhjen time dhe njëherit ju bëj me dije që nga sot do të heq dorë nga këto privilegje të përcaktuara për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Ndër tjerash, ai ka shtuar se nga viti 2017 e deri më 2021, nuk ka marrë kompenzim nga buxheti i Kuvendit.
“Si përfaqësues i popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga viti 2017 sa kam hyrë në politikë, për katër vite (2017, 2018, 2019, 2020) kam shpenzuar 0 (zero) cent, ndërsa tani jam informuar nga mediat për kompensimet e udhëtimit për vitin 2021”, thekson deputeti.

Sipas listës së shpenzimeve për derivate, figuron se Lushtaku ka marrë 540 euro si kompensim për udhëtim për vitin 2021.
Kuvendi i Kosovës ka publikuar të martën shpenzimet e udhëtimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për periudhën 2011-2021.
Publikimi i këtij raporti vjen pas reagimeve të shumta për listën me shumat me të cilat janë kompensuar deputetët për udhëtime për pjesëmarrje në seanca apo komisione parlamentare.
Sipas njoftimit, në këto shpenzime përfshihen të gjitha mënyrat e udhëtimit.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët udhëtojnë për të marrë pjesë në seancat dhe komisionet funksionale në Prishtinë kompensohen me mjete financiare për shpenzimet e karburantit.
Mirëpo, praktika e tillë e kompensimit po kritikohet nga qytetarët të cilët e shohin të paarsyeshme marrjen e këtyre kompensimeve ngase “deputetët kanë paga të larta”.
Vendimi mbi kompensimin e deputetëve daton nga 10 tetori 2011 dhe parashihet që të kompensohen deputetët të cilët marrin pjesë në punimet e seancës dhe komisionet e caktuara ku deri në 30 kilometra udhëtim kompensohen me 10 euro, pastaj deri në 60 kilometra me 20 euro si dhe mbi 60 kilometra me 30 euro./Shqip.com