Lajme

Memli Krasniqi për Ramën: Populli i Kosovës të është mirënjohës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar në Facebook rreth fjalimit të kryeministrit Edi Rama gjatë ditës së sotme në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Krasniqi ka shkruar se fati i Kosovës është se Shqipëria e ka një kryeministër si Rama.

“Është fat i madh për Kosovën që në këtë periudhë sfiduese, Shqipëria ka një kryeministër si Edi Rama – i cili nuk e humb asnjë mundësi që i jepet për të mbrojtur Kosovën, luftën tonë çlirimtare dhe të drejtën tonë të patjetërsueshme për liri dhe pavarësi”, shkruan Krasniqi.

Tutje në shkrimin e Krasniqit, Rama falenderohet për qëndrimin dinjitoz dhe dashurinë e pakushtëzuar për Kosovën.

E për këtë sipas të parit të PDK-së, populli i Kosovës është mirënjohës.

Kryeministri Rama, në vazhdimësi ka qenë kritik në secilën mundësi që e ka pasur për të shprehur qëndrimin e tij në lidhje me krijimin e Gjykatës Speciale.

Ndryshe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Hagë, ka qenë shumë i afërt në qëndrime me kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama./SHQIP.com

/Shqip.com