Mehaj – Vulinit: Neve nuk na befason asgjë nga skenarët e tillë antishqiptarë

“Neve nuk na befason asgjë nga skenarët e tillë antishqiptarë dhe antinjerëzorë të kreatorëve të krimeve më çnjerëzore”.
Kështu ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të shtunën – duke iu kundërpërgjigjur deklaratës së ministrit serb, Aleksandër Vulin, i cili tha se “masakra e Reçakut ishte skenar”.
“Bota di të vërtetën edhe të Vukovarit e Srebrenicës siç di, parë e ndjerë edhe masakrën e Reçakut”, ka thënë Mehaj.
“E Vërteta e Madhe, gur e shpirt i skalitur është edhe Almiri 14 vjeçar që iu këputë jeta bashkë me 45 familjarë e bashkëfshatarë të Reçakut, për të vetmin faj se ishin shqiptarë, nga gjakatarët barbarë serb, që udhëhiqeshin atë kohë nga qeveria kriminale serbe ku bënte pjesë edhe Vuçiq”.
“Bota e vlerave demokratike dhe humane duhet të reagoj fuqishëm ndaj kësaj bastardie të qeverisë serbe të radhës, sepse Ne nuk harrojmë kurrë”.
Çka tha Vulini?
Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin, e ka quajtuar masakrën e Reçakut si “falsifikim” dhe “gënjeshtër”, transmeton Shqip.com.
Këto deklarata ai i ka bërë në vizitën që i ka bërë ekipit që po xhiron një film dokumentar për Masakrën e Reçakut, raporton Tanjug.
Këtë film dokumentar është duke e financuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë.
Ministri serb që kishte shërbyer në partinë e gruas së “kasapit të Ballkanit”, Slododan Millosheviq, tha se detyrë e gjeneratës së re është “t’ia shfaqë botës se Reçaku ishte gënjeshtër dhe se gjaku i fëmijëve serbë bie mbi ata që e kanë zbuluar këtë gënjeshtër”.
“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë ne nuk ishim mjaftueshëm të mençur për t’ia shfaqur botës se ishte një gënjeshtër e tmerrshme. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregohet botës se ata na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë atyre gënjeshtrave”, ka thënë Vulin./SHQIP.com