Mehaj nervozohet me stafin e tij për mostransparencë, thotë se do të marrë masa

Pas akuzave të Lëvizjes FOL se Ministria e Mbrojtjes nuk është përgjigjur në pyetësorin e dërguar mbi aktivitetet e kësaj ministrie në kuadër të realizimit të planeve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, ka ardhur reagimi i ministri Armend Mehaj.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se përgjigjet në pyetjet e drejtuara nga organizata do t’i kenë të publikuara shumë shpejt.
“Kjo gjë është e papranueshme dhe në kundërshtim me praktikat e transparencës dhe llogaridhënies që i kemi instaluar që nga ardhja në qeverisje. Menjëherë kam kërkuar nga sekretari i Përgjithshëm që kjo çështje të trajtohet, të verifikohet fillimisht a janë përcjellë pyetjet te zyra jonë e mediave, pastaj të ndërmerren masa përkitazi me përgjegjësitë që i takojnë”, ka shkruar ai.

Ministri Mehaj tutje në sqarim thotë se vitin e kaluar Ministria e Mbrojtjes ka realizuar në përpikëri planin e punës 96%, ka shpenzuar buxhetin 96%, të dyja këto me përqindjen më të lartë të realizimit që ka pasur ndonjëherë, andaj këto standarde do t’i mbajnë edhe në vazhdim.
Lëvizja Fol sot ka thënë se Qeveria e Kosovës ka realizuar vetëm 47.6 për qind të planit vjetor, teksa Ministria e Mbrojtjes nuk është përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL.
Ndryshe, Ministria Mbrojtjes në kuadër të Planit Strategjik Operacional për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizojë 14 aktivitete./Shqip.com