Mehaj: Ligji tani rregullon çështjen e sigurimit shëndetësor për ushtarët me mision jashtë Kosovës

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka njoftuar se për ushtarët e Kosovës të cilët do shërbejnë jashtë vendit është rregulluar çështja e sigurimit shëndetësor si dhe përkujdesi ndaj familjes së tyre gjatë misionit.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se kjo ka ndodhur me miratimin e Ligjit për Dërgimin e Forcës së Sigurisë Jashtë vendit.
“Si asnjëherë më parë ushtarakët tanë kanë marrë pjesë në qindra misione jashtë vendit, tani me miratimin e Ligjit për Dërgimin e Forcës së Sigurisë Jashtë Vendit kemi krijuar dhe bazën ligjore përmes së cilës rregullohen procedurat e dërgimit dhe tërheqjes së ushtarëve tanë në operacione ndërkombëtare humanitare, misione paqeruajtëse, stërvitje dhe ushtrime të tjera ushtarake përkrah shteteve partnere, e po ashtu kemi rregulluar dhe çështjen e sigurimit shëndetësor për secilin ushtar në shërbim jashtë vendit, si dhe përkujdesin ndaj familjes së tyre përgjatë misionit”, shkroi Mehaj.

Mehaj tha se janë të përkushtuar për të përmbushur standardët për të qenë shtet anëtar në NATO si dhe përgatitja profesionale e ushtrisë së Kosovës është objekt i tyre./Shqip.com