Lajme

Mehaj: Kosova e ka vendin në NATO, pranë Kroacisë

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se Kosova e ka vendin në NATO.

Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka treguar se është takuar me homologun e tij të Kroacisë, Mario Banozic.

“Republika e Kosovës ka vendin në NATO, pranë aleatit tonë, Kroacisë! Në vazhdimësi të takimeve në Forumin për Bashkëpunim të Evropës Qendrore në fushën e Mbrojtjes, kam takuar Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, Mario Banozic. Miqësia me shtetin kroat daton qysh herët”, shkroi Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes tha se pjesë e këtij takimi me homologun e tij nga Kroacia ishte edhe bashkëpunimi mes dy shteteve për nënshkrimin e marrëveshjes së SOFA-s.

 “Si dy shtete që kemi një të kaluar të ngjajshme, kuptojmë shumë mirë seriozitetin e situatës aktuale gjeopolitike dhe rëndësisë së bashkëpunimit të shteteve të Evropës në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor, aty ku vërehen haptasi tendencat e ndikimit rus, andaj edhe pjesë e diskutimit ishte bashkëpunimi ndërmjet ministrive të mbrojtjes dhe forcave të dyja shteteve përmes nënshkrimit sa më parë të marrëveshjes SOFA, që do thellonte dhe detajizonte bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime, duke kontribuar kështu në ruajtjen e paqes në rajon por edhe më gjerë”.

Tutje, Mehaj tha se e ardhmja e Kosovës është pranë Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

/Shqip.com