Mehaj: Fondi i Sigurisë, i nevojshëm për të arritur kapacitetet ushtarake

“Fondi i Sigurisë është i sigurt dhe është themeluar për shkak të rrethanave gjeopolitike në botë dhe jo vetëm luftës së Rusisë në Ukrainë:, kështu tha ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Mehaj, nuk dha detaje se sa mjete janë mbledhur deri më tani.
“Mjetet e mbledhura financiare nga ky fond, synohen të përdoren në përputhje me strategjinë shtetërore të Kosovës, që pritet të miratohet shumë shpejt nga Qeveria e Kosovës”, tha Mehaj.
“Forca, ushtria dhe policia ofrojnë siguri dhe e dimë që na është shtuar buxheti, por për t’i arritur kapacitetet edhe nevojat ushtarake të sigurisë, nuk po flas vetëm për nevojat ushtarake, por edhe ato të ushtrisë, është i nevojshëm çdo buxhet shtesë që i jepet ushtrisë dhe policisë”, shtoi ai.

Sipas ministrit Mehaj, i gjithë procesi i themelimit të këtij fondi ka qenë në “koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara, me partnerët tanë, kështu që ata që publikojnë lajme të rreme, më vjen keq për ta, por ne nuk kemi bërë asgjë pa koordinim me partnerët”.
Më 1 mars, Qeveria e Kosovës njoftoi për themelimin e Fondit të Sigurisë, në të cilin, qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë.
Ministri Mehaj tha se pavarësisht se buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës është rritur, ende nuk janë përmbushur nevojat e sigurisë./Shqip.com