Megjithatë Osmani takohet me Vuçiqin, thotë se pala serbe s’ka interes për paqe

Edhe pse më herët presidentja Vjosa Osmani, ka refuzuar të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, megjithatë, një takim i shkurtër ka ndodhur, gjatë së enjtes.
Osmani tha se gjatë takimit ishin të pranishëm edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Presidentja theksoi se edhe njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe.
“Në fund të takimit me Macron dhe Scholz ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta, ku edhe njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë”, u shpreh ajo për Radio Televizionin e Kosovës.
Më tej presidentja Osmani tha se do të vazhdojë të punojë me Gjermaninë, Francën e SHBA-në si aleat yni kyç, por edhe me shtetet e tjera prej disa prej çështjeve që i propozuan edhe presidenti Macron, edhe kancelari Scholz, e që i ka propozuar edhe sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken.
/Shqip.com