Mediat nga Kosova nuk lejohen të shtrojnë pyetje në konferencën Merkel-Rama

Mediave nga Kosova nuk iu është lejuar të bëjnë pyetje në konferencën e sotme të kancelares gjermane, Angela Merkel me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë.
Përkundër insistimit të gazetarëve kosovarë, fjala nuk i është dhënë asnjërit që të parashtrojnë pyetjet e tyre as pas rreth 40 minutave sa zgjati konferenca.
Duke njohur pozicionin e Kosovës rreth iniciativës “Open Ballkan”, interesimi ishte i madh për pyetje.
Pas Shqipërisë, Kosova kishte numrin më të madh të mediave të pranishme në “Tirana Business Park” ku po zhvillohen takimet e kancelares Merkel me liderët e rajonit.
Në adresimin për media të kancelares, ajo tha se Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim i integrimit në Bashkimin Evropian, teksa ka folur edhe për proceisn e bashkëpunimin në nivel rajonal, duke thënë se është ide e pranuar nga Blloku.
“Fakti që unë jam e bindur që BE apo Gjermania ka një interes të vetin në anëtarësim të këtyre vendeve por është diçka tjetër, po themi procesi i bashkëpunimit në nivel rajonal. Një ide është pranuar nga BE apo këndvështrimi gjerman”, tha ajo.
Sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur” edhe kryeministri i Shqipërisë u deklarua rreth saj, duke thënë se është pjellë e Procesit të Berlinit dhe se sipas tij nuk bie ndesh me njëra-tjetrën.
“Open Balkan është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është as më shumë e as më pak se një mekanizëm për të përshpejtuar procesin e Berlinit”, tha Rama. /Shqip.com