Ekonomi Biznes

Media britanike: Shqipëria është mes 11 vendeve të mahnitshme për zbulime kulturore

Shqipëria, një vend me plazhe mahnitëse, vende të pabesueshme historike dhe pamje të mrekullueshme të Alpeve.

Është ky përkufizimi që Rest Less i ka bërë vendit tonë në një artikull ku ka renditur 11 vendet e mahnitshme për zbulimin kulturor.

Sipas Rest Less, Shqipëria, ky vend i Evropës Jugore ka shumë xhevahirë të çmuar të fshehur, një prej të cilëve është edhe “Syri i Kaltër”.

Po ashtu, Gjirokastra është një tjetër vend që ofron një bukuri të veçantë për vendasit dhe turistët.

E përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, veçantia e këtij vendi, sikurse thuhet në artikull, mbeten shtëpitë prej guri të cilat ngjasojnë me fortesa të vogla, dhe rrugët me kalldrëm.

“Ky vend i Evropës Jugore ka gjithashtu shumë gurë të çmuar të fshehur. Për shembull, “Syri i Kaltër” misterioz është një burim uji i kaltër verbues me një thellësi të panjohur – ndërsa, në qytetin e Gjirokastrës të listuar nga UNESCO, shtëpitë prej guri ngjajnë me fortesa të vogla dhe rrugët me kalldrëm do t’ju çojnë në Pazar”, thuhet në artikull.

Shqipëria dhe bukuritë që ky vend ofron, ka bërë jehonë në shumë vende të botës.

Media të ndryshme i kanë dhënë zë rivierës shqiptare, duke e krahasuar me Maldivet e Europës.

Po ashtu, bukuritë e alpeve shqiptare nuk iu kanë shpëtuar syrit të mediave botërore dhe jo vetëm.

Kjo pasi falë bukurive që Shqipëria ofron, turistë të shumtë kanë zgjedhur të vizitojnë vendin tonë, për të prekur nga afër mrekullitë e këtij vendi.

Viti 2023 u mbyll me 10 milionë turistë të huaj që vizituan Shqipërinë, ndërsa 2024-ta, sikurse ka bërë me dije kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro pritet ta kalojë këtë shifër.

/Shqip.com