Kulturë

“Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njofton se në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit, në Prishtinë, po qëndron e hapur ekspozita “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”, në kujtim të 1622 personave të zhdukur gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, duke përfshirë vitet 1998-2000.

Ekspozita e artistit Driton Selmani, është realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, ndërsa kuratore është Blerta Hoçia, raporton Shqip.com.

“Të dhënat e 1622 personave në këtë ekspozitë janë të dhënat e personave të zhdukur me forcë, të rrëmbyer, të ekzekutuar dhe të fshehur në varrezat masive që më shumë se 20 vite janë tjetërsuar duke e bërë kërkimin dhe zbulimin e tyre sa vjen e më të ndërlikuar.” thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ekspozita “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”

“Në një shumësi mungesash e të munguarish, simbolikisht, ato janë të paraqitura me gurë si varre të përkohshme dhe kujtim për ta. Gurët, si dëshmitarë të kohës paraqesin elementet përkujtuese për të zhdukurit”, thuhet më tej.

Ekspozitën e vizitoi edhe Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, i cili u prit nga autori Driton Selmani, kordinatori i ekspozitës Dardan Hoti dhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorë deri më 31 janar 2022./Shqip.com