Mbledhja e ardhshme e dy qeverive shqiptare mbahet në qershor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron për një vizitë zyrtare në Tiranë ku është takuar me homologun e tij, Edi Ramën.
Sipas asaj që ka shkruar Rama në Facebook, në takim me Kurtin është rënë dakord që mbledhja e ardhshme e dy qeverive shqiptare të mbahet në qershor.
“Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor”, shkroi Rama.
Rama njoftoi se në takim me homologun e tij kosovar kanë diskuatuar edhe për marrëveshjen e Ohrit.
“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj. I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”.
Kryeministri shqiptar tha se e ka inkurajuar homologun e tij për hedhjen e hapave të mëtejshëm, për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb.
“E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”.
Kujtojmë se edhe kohë më parë, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur mbledhje të përbashkëta nga të cilat kanë dal shumë marrëveshje.
/Shqip.com