Lajme

Mbi një milion ukrainas kërkuan strehim në Gjermani

Mbi një milion vetë nga Ukraina kanë kërkuar strehim në Gjermani që nga fillimi i luftës. Gjithnjë e më shumë prej tyre u duhet të jetojnë tani në strehimore masive. Por gatishmëria për të ndihmuar është ende e madhe.

“Janë fëmijët ata që bien në sy të parët. Duke bërtitur dhe duke qeshur me të madhe, ata vrapojnë në terminalin C të ish-aeroportit Berlin-Tegel. Dritat shumëngjyrëshe në tabanin e këpucës së një vajze ndizen me çdo hap. Një djalë bën xhiro në një skuter të ngushtë, një tjetër përpiqet të hidhet mbi një kamion me paletë që e përdorin dy burra me kominoshe për të transportuar kuti”, raporton DW.

Sa të gjallë janë fëmijët, aq të heshtur duken të rriturit në ndërtesën e ish-aeroportit. Disa rrinë ulur pranë prizave dhe shikojnë ekranet e telefonave celularë. Të tjerë kanë gjetur një vend në një nga tavolinat e gjata prej druri dhe hanë. Ata që mesa duket sapo kanë ardhur dhe presin regjistrimin me valixhet në duar janë edhe më të heshtur, thuhet mes tjerash nga zyra për refugjatë në Gjermani.

/Shqip.com