Kulturë

Mbahet konferencë studimore në 120-vjetorin e lindjes së Ernest Koliqit

Ernest Koliqi, brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist
Ernest Koliqi, brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist

Ka nisur sot punimet konferenca studimore “Poliedriku Ernest Koliqi në 120-vjetorin e lindjes”, e organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë (ASA), në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në sallën “Europa”.

Në fjalën hapëse, drejtoresha ekzekutive e QSPA, prof. Diana Kastrati falënderoi pjesëmarrësit e pranishëm në këtë konferencë dhe theksoi rëndësinë dhe peshën e poliedrikut Ernest Koliqi. Më pas, fjalën përshëndetëse e mori zëvendësrektori i ASA-s, Valter Memisha, i cili në fjalën e tij theksoi rolin e Ernest Koliqit në letërsinë shqipe.

Ernest Koliqi është një figure poliedrike: shkrimtar, studiues, publicist, përkthyes, misionar i kulturës arbëreshe, themelues i Institutit të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë, si dhe themelues i shumë veprimtarive e veprave monumentale.

Pritet që kjo konferencë shkencore të sjellë të dhëna të reja që nxjerrin në pah rolin që pati figura e Ernest Koliqit në përndritjen e letërsisë e të kulturës shqiptare në përgjithësi dhe të universit arbëresh në veçanti, duke ndikuar në shumë forma për ringjalljen e ndërgjegjes së identitetit etnik. 

/Shqip.com