Kulturë

“Mbrëmjet e kulturës bullgare” sjellin emocione të veçanta për publikun e Durrësit

“Mbrëmjet e kulturës bullgare”
“Mbrëmjet e kulturës bullgare”

Mbrëmja e dytë e kulturës bullgare u zhvillua të shtunën në Durrës.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ambasada e Bullgarisë në Tiranë bëri të ditur se kjo nismë solli në bregdetin shqiptar shumë turistë bullgarë, të cilët duke shijuar pushimet e tyre, prezantuan po ashtu para publikut të Durrësit bukurinë e folklorit bullgar.

Për dy vite rresht, organizatorët tregojnë shumëllojshmërinë e valleve, këngëve dhe veshjeve popullore nga krahinat e ndryshme folklorike të Bullgarisë.

Kjo bëhet me ndihmën e klubeve folklorike që vijnë nga rajonet e ndryshme të Bullgarisë. Partnerët e tyre janë Ambasada bullgare në Tiranë dhe Bashkia e Durrësit, të cilët mundësojnë zhvillimin e aktiviteteve.

Tre ishin ansamblet që prezantuan artin e vet në mbrëmjen e kulturës bullgare më 22 qershor. Ato erdhën nga qyteti Bjala (Bullgari Veriore), qyteti Vratsa (Bullgari Perëndimore) dhe fshati Vasilovo (Bullgari Qendrore).

“Mbrëmje të tilla janë planifikuar edhe më 12 dhe 17 gusht 2024 në sheshin para qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Po punohet dhe për zgjerimin e iniciativës, duke përfshirë edhe qytete të tjera shqiptare”, thuhet në njoftimin e Ambasadës bullgare. /atsh

/Shqip.com