Lajme

Maliqi kërkon sqarim nga Kurti e Osmani se pse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci

Analisti politik, Agon Maliqi

Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka kërkuar sqarim nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, se përse Kosova nuk është ftuar nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lexo edhe:
Kurti fajësohet për mosftesën e Kosovës nga SHBA-ja në Samitin për Demokraci

Sipas Maliqit, kjo është një prej nismave kryesore të SHBA-së për t’iu kundërvënë kërcënimit prej regjimeve autoritare si Kina dhe Rusia.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Bashkë me Kosovën, jashtë listës me 100 shtete që janë ftuar nga SHBA-ja, kanë mbetur edhe Serbia dhe Bosnja.

Ndaj Maliqi ka pyetur se “si është e mundur që SHBA-të na shohin në Evropë si pjesë e një klubi joprestigjioz autokratësh anti-perëndimorë bashkë me Vuçiqin, Dodikun, Lukashenkon, Orbanin dhe Erdoganin?”.

“Jam i bindur se nuk duhet të ketë qenë e lehtë për SHBA-të për t’ia bërë këtë gjë shtetit të cilin kanë ndihmuar ta krijojnë. Kështu që këtu duhet të jetë një problem shumë i madh për të cilin liderët tanë duhet t’i kenë marrë sinjalet prej kohësh, sepse kjo shuplakë nuk vjen si vërejtja e parë”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej, ka thënë se, ky kategorizim i Kosovës nuk mund të jetë i ndërlidhur me demokracinë e brendshme, ku sipas tij, qëndron më mirë se rajoni, por me politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“E përbashkëta e këtyre liderëve autoritarë të përmendur më sipër është se janë liderë të cilët jo vetëm që nuk e kanë politikën e jashtme të përputhur me SHBA, por aktivisht luftojnë kundër interesave të saj dhe të sigurisë evropiane. Çka po lypë Kosova në këtë grup?”./SHQIP.com