Lajme Ballkan

Macron paralajmëron konferencë për Ballkanin Perëndimor gjatë Presidencës Franceze në BE

Emmanuel Macron
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralamëroi se gjatë Presidencës Franceze në Bashkimin Evropian, do të organizohet një konferencë për Ballkanin Perëndimor, përcjell Shqip.com.

Në një konferencë shtypi, Macron foli më gjerësisht për prioritetet e Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së, që fillon nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor. Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës. Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë”, tha Macron.

Sipas tij, aktualisht rajoni është duke kaluar në një fazë të tensioneve, “duke shtuar se kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor”, raporton REL.

“Historia kthehet nganjëherë edhe në mënyrë tragjike. Prandaj sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor. Atje duhet të zbatojmë politikën e angazhimit të ri, por edhe investimeve në mënyrë që të favorizojmë integrimin ekonomik të rajonit, ndihmojmë shkëmbimin e njerëzve, zgjidhim çështjet e pakicave dhe luftojmë kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Evropën”, u shpreh ai.

Tutje, presidenti francez shtoi se angazhimi politik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor është një agjendë e vërtetë për sovranitetin e Evropës, sepse sipas tij, “nuk mund ta ndërtojmë Evropën në paqe për 50 vjetët e ardhshme, nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën në të cilën është sot”.

Ndryshe, Franca e merr kryesimin e BE-së nga Sllovenia, më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Pas gjashtë muajsh, më 1 korrik 2022, Franca ia dorëzon kryesimin e BE-së, Republikës Çeke./SHQIP.com