Lajme

LVV me propozime të reja: Ata që shpenzojnë më pak se 800 kWh, mos të kenë ngritje të çmimeve

Deputetët e LVV-së.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kWh mos të kenë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike, përcjell Shqip.com.

Në një konferencë për media, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se grupi i dytë i konsumatorëve që shpenzojnë nga 800 deri në një mijë e 40 kWh, të kenë një rritje që do të përcaktohet në bazë të subvencionimit nga Qeveria.

Sipas saj, këto dy grupe përbëjnë 86 për qind të konsumatorëve të përgjithshëm të energjisë elektrike.

Ndërkaq, Kusari-Lila thotë se konsumatorët e bllokut të tretë që shpenzojnë mbi një mijë e 400 kWh, do të kenë tarifa më të larta.

Po ashtu, ajo ka dhënë edhe katër rekomandime lidhur me rritjen e çmimit të tarifave të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

“1. Të përfshinë ndikimin pozitiv që shkaktohet nga rikthimi i bllok-tarifave progresive në reduktimin e kërkesës për energji elektrike për vitin 2022. 2. Duke marrë parasysh situatën e rënduar ekonomike të qytetarëve dhe krizën energjetike në tregjet ndërkombëtare të konsiderojë reduktimet e investimeve kapitale përgjatë vitit 2022 në rrjetin e distribucionit sipas modelit që tashmë e zbaton Republika e Shqipërisë.

3. Duke pasur parasysh që zvogëlimi i humbjeve ka ndikim direkt në zbritjen të çmimit të energjisë elektrike kërkojmë nga ZRRE-ja që ta prezantojë një plan konkret që të parandalojë këtë dukuri negative dhe ndikimin pozitiv që do të arrihet në rastin e zvogëlimit të humbjeve komerciale përfshirë këtu edhe kuadër shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor.

4. Duke marrë parasysh faktin që agjencitë e specializuara kanë parashikuar zbritje të çmimit të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar që nga pranvera e këtij viti kërkojmë nga ZRRE-ja që të konsiderojë një skenar pozitiv të çmimit të energjisë që do të blihen nga importi gjatë llogaritjes të të hyrave të jashtëzakonshme”, tha ndër tjerash ajo.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.

Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.

Sipas propozimit të ZRRE-së, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Konsumatorët në kategorinë A, nëse gjatë një muaji shpenzojnë 300 kilovatë orë energji elektrike, çmimi aktual është 18.87 euro, dhe propozimi është që ajo të rritet në 29.66 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë, fatura do të mbetet 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Konsumatorët në “C” që do të thotë se shpenzojnë 600 kilovatë, çmimi aktual i faturës është 35.86 euro, e që me propozimin e ZRRE-së, fatura rritet në 38.92 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë mbetet 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro.

Qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë./SHQIP.com